Ende ka shumë dilema në lidhje me referendumin që e paralajmëron opozitarja VMRO-DPMNE. Përveç asaj që ende nuk është definuar formulimi i pyetjes së referendumit, kryetari i partisë, Hristijan Mickoski thotë se duhet të caktohen edhe shumë detaje rreth iniciativës.
“Sa i përket formës së referendumit, nëse ai do të jetë i obligueshëm , konsultativ, kur do të mbahej ky referendum, kush do ta dorëzonte, nëse deputetët, nëse 150 mijë qytetarë, nëse do të jetë referendum paraprak apo i njëpasnjëshëm, nëse do të ketë të bëjë me Kornizën negociuese ose me pjesën e kornizës negociuese e cila thirret në marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë dhe burimin e problemeve, përkatësisht Protokollin. Këto janë punët që duhet ta mbrojnë identitetin maqedonas”, tha Hristijan Mickoski.
Nga LSDM-ja përsëritën se kjo është vetëm farsë e kreut të VMRO-DPMNE-së i cili dëshiron që t’i maskojë problemet brenda partisë.
“Arsyet për problemet në partinë e tij, në radhët e opozitës, Mickoski në mënyrë tepër naive përpiqet që t’ia imponojë dikujt tjetër, por për këtë së pari duhet ta shohë vetveten. Të gjithë veprimin e tij politik, Mickoski e bën duke përhapur gënjeshtra, manipulime, skenarë të përgjakshëm, përpjekje për bllokada të shtetit dhe ardhmërisë evropiane të qytetarëve”, thonë nga LSDM.
Megjithatë, për referendumin, partitë u shprehën se nuk e përkrahin këtë iniciativë, ndërsa kundër saj u shpreh edhe opozitarja ASH. A mbetet Mickoski së bashku me Apasievin të izoluar në këtë ide. Kundërshtarë të referendumit janë pushteti dhe instalimet e pushtetit në opozitë, tha Mickoski.
“Unë nuk kam dëgjuar ndonjë qëndrim nga partitë shqiptare në opozitë, por pasi e përkrahën atë fletë në Kuvend, kam dilemë nëse janë në opozitë ose janë rezervë dhe pishinë për deputetët e pushtetit. Dilemën e kam se ku përkasin ata, që të identifikohen veten si opozitë, duhet të dalin publikisht me qëndrime që do ta kritikojnë pushtetin. Nëse i përkrahin qëndrimet e pushtetit, atëherë unë nuk e kam të qartë se si identifikohen si opozitë”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, pushteti gjendet para sfidës se si t’i realizojnë me sukses ndryshimet kushteuese që i nevojiten Maqedonisë për të kaluar në fazën e dytë, kur në fakt do t’i fillojë negociatat me BE-në.
