Shuhet zjarri në deponinë në Vizbeg! Prokuroria me hetim të zgjeruar, paraburgim për çiftin e dhunshëm

TË FUNDIT

Pas ndotjes enorme dhe shqetësimit që krijoi, kështu duket sot hekurishtja në Vizbeg të Shkupit.

Krahas dëmit që i shkaktoi mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, pasi këtu u dogjën pjesëve të veturave si akumulator, goma e të tjera, nga ky zjarr e pësoi edhe një zjarrfikës që u lëndua, ndërsa banorët dje ishin gjithë frikë për pronat e tyre. 

Profesori Dejan Mirakovski, i cili është udhëheqës i qendrave laboratorike universitare për testimin e ndotjes së ajrit në ambiente të mbyllura dhe të hapura, thotë se zjarret si ai në Vizbeg, ku digjeshin mbeturina hekuri, janë jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse lëshojnë koncentrime të larta të shumë llojeve të substancave toksike dhe kancerogjene.

Veçanërisht në ato deponi ku nuk e dini as përmbajtjen e materialit që është i deponuar, janë shumë të rrezikshme, sepse emetojnë grimca, për kohë të shkurtër me koncentrim të lartë me komponentë shumë toksike, zgjerohen në afërsi të zonës ku është zjarri”, tha Dejan Mirakovski, Rektori i Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip.

Lidhur me zjarrin në Vizbeg, Prokuroria Themelore Shkup ka nisur procedurë kundër dy personave – një burri dhe një gruaje – për veprën penale “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar”, pasi sulmuan dhe penguan ekipin e “TV Alsat” gjatë raportimit për zjarrin. Prokurori i ka propozuar gjykatës së Shkupit paraburgim për burrin, ndërsa për gruan është propozuar arrest shtëpiak, pasi ajo kujdeset për dy fëmijë të mitur 9 muajsh dhe 3 vjeç.

“Masat janë propozuar për të siguruar praninë e tyre, meqë përveç veprës penale të përmendur, prokuroria vazhdon të hetojë edhe shkaqet e shpërthimit të zjarrit në pikën e skrapit në pronësi të të dyshuarve dhe rreziqet e mundshme të shkaktuara ndaj jetës dhe trupit të njerëzve, pasurisë dhe mjedisit jetësor. Në këtë drejtim, gjatë ditës së djeshme dhe sot janë lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për sigurimin e provave”, thonë nga Prokuroria.

Maqedonia në nivel shteti vazhdon të përballet me deponi të ndryshme, të egra ose si hapura si zgjidhje të përkohshme, në mungesë të një menaxhimi më të mirë për mbetjet. Ato shpesh ndizen, duke ndotur mjedisin dhe dëmtuar shëndetin e banorëve që jetojnë përreth.