Shteti nuk po gjen zgjidhje për grevën në arsim! Shaqiri fton drejtorët të nisin mësimin! SAShK paralajmëron protesta

TË FUNDIT

Shteti nuk po gjen zgjidhje për grevën në arsim. Edhe sot shkollat fillore dhe të mesme ishin të zbrazura, të qeta dhe pa zhurmën e nxënësve. Kjo pasi që mbrëmë Këshilli i SASHK-ut me shumicë votash vendosi që greva në arsim të vazhdojë, ndërsa hedhën poshtë ofertën e Qeverise për rritje te pagave për 12%. 

Ndërkohë njeriu i parë i Arsimit, Jeton Shaqiri nëpërmjet Facebook,  ju bëri thirrje drejtorëve të shkollave të mesme dhe fillore që sot t’i hapim dyert për nxënësit dhe te vazhdojnë me organizimin e mësimit.

“Ftojmë drejtorët e shkollave, si përgjegjës për organizimin e punës së këtyre institucioneve arsimore, që nga nesër t’i hapin dyert e shkollave dhe të vazhdojnë me organizimin e mësimit në përputhje me ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Ata kanë kompetenca dhe janë përgjegjës për mosveprimin e tyre”, tha Jeton Shaqiri, minister i arsimit dhe Shkences.

TV21 gjate ditës ishte në disa shkolla fillore dhe të mesme për të parë nëse drejtoret ju përgjigjen thirrjes se ministrit Shaqiri.

Drejtori i Shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, Visar Duraku për TV21 na tha se që kur ka filluar greva, ai vazhdimisht ju ka bërë thirrje profesorëve që të gjejnë një gjuhë të përbashkët në interes ë nxënësve, por vendimi i profesorëve ka qenë i prerë.

 “Po, po vazhdimisht kemi biseduar. Edhe sot kemi pasur një takim joformal me profesorë, por vendimin i tyre është i prerë dhe si drejtor nuk mund të ndikojë në vendimin e tyre duke pasur parasysh se as nxënësit nuk vijnë. Shpresoj se deri në fund të javës do ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe nxënësit do të vijnë edhe një pjesë e profesorëve do të pranojnë për hir të nxënësve të fillojë procesi”, theksoi Visar Duraku, Sh.M. “Cvetan Dimov”.

Edhe drejtoresha e shkollës fillore “Vasil Gllanivov”, Elita Demiri tha se ju ka bërë thirrje arsimtarëve për të filluar mësimi, megjithatë edhe sot bankat kanë qenë të zbrazura, ndërsa fton prindërit që nesër t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, pasi që nesër do të organizojnë mësim.

 “I kemi bërë ftesë arsimtarëve dhe edhe ne siç do shkollë tjetër jemi duke kaluar nëpër situatën aktuale në të cilën gjendemi. Nuk e dimë  se si do të zhvillohet tash e tutje, mirëpo nga nesër unë ju bëj apel edhe prindërve që t’i sjellin fëmijët në shkollë pasi që të gjithë organizimin e kemi planifikuar dhe dyert e shkollës kanë qenë dhe janë të hapura për nxënësit tonë“, tha Elita Demiri, drejtoreshë e Sh.F. “Vasil Gllavinov”.

Për dallim nga shumica e shkollave që në mënyrë të prerë nuk kanë zhvilluar mësimi aspak, disa tjera me 15-20 nxënës kanë mbajtur 2 ose 3 orë me profesorët dhe arsimtarët që nuk mbështesin grevën e mëtutjeshme.

E këshilli i SASHK-ut në shenjë të pakënaqësisë nga rezultatet e negociatave dje vendosi që të mërkurën e javës së ardhshme të organizojë protestë masive para Qeverisë.

“Këshilli I SASHK shpreh keqardhje për ndërprerjen e mësimit, mos shkuarjen e fëmijëve në shkolla, shpreh keqardhje deri te prindërit që kanë problem për përkujdesjen e fëmijëve të tyre sidomos ata në klasa më të ulëta, mirëpo kërkon mirëkuptim dhe mbështetje sepse është e qartë se kur kemi mësimdhënës të kënaqur dhe të motivuar, procesi arsimor dotë jetë më mirë dhe do të kemi arsim më cilësor”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

Nga sot vetëm çerdhet kanë filluar me punë të plotë, duke ndërprerë plotësisht grevën e filluar që nga 11 prilli.