Në sheshin qendror të Brukselit, krahas flamurit shtetëror, në sy bie edhe një flamur kuq e zi.
Në vitrinën e këtij salloni nga larg mund të dallosh qëndisje, veshje, instrumente dhe elemente tjera tradicionale shqiptare.
Kur futesh brenda harron që ndodhesh në Bruksel.
Në ShqipVille siç quhet projekti i kësaj shtëpie të kulturës na priti ngrohtë, siç pret çdo turist, pronarja Ledja Canaj dhe bashkëpunëtori i saj Vildan Maksuti.
“Nuk frekuentohet vetëm nga shqiptarët, frekuentohet nga shumë nacionalitete, ne deri tani kemi pritur më shumë se 32 mijë veta për gati katër muaj, kemi realizuar mbi 600 intervista me 52 nacionalitete të ndryshme dhe këtu janë artikuluar 12 gjuhë të ndryshme, të huaja, përveç shqipes tonë të dashur. Ne kemi një ambicie, që gjuhën shqipe ta kthejmë në trend, ai që do të flas shqip do të jetë shumë në trend dhe i preferuar. Ne kemi edhe një fjalë tjetër që përdorim këtu, keni inat, jemi shqiptarë.”- thotë Ledja Canaj – Gazetare, Pronare.
“Ideja është që këtu në të ardhmen të ketë festival shqip të teatrit, festival të filmit. Shtëpitë teatrale që janë në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri të vijnë t’i shfaqin shfaqet e tyre këtu, filmat që zhvillohen kudo që ka shqiptarë, është ideja që të krijojmë një festival filmi shqip. Për shembull Albanian film ëeek. Kjo është ëndrra pra e shtëpisë së kulturës për ta realizuar.”- thotë Vildan Maksuti – Aktor.
Në këtë hapësirë organizohen një serë aktivitetesh artistike e kulturore, mund të degustoni verë, të blini ushqime tradicionale, libra, zeje të ndryshme ose vetëm ta vizitoni si muze.
Lokalin, Canaj e ka hapur me vetëfinancim më 28 nëntor të vitit të kaluar dhe thotë se deri tani institucionet shqiptare nuk e kanë përkrahur fare, me çka nuk e di edhe sa mund ta mbajë gjallë projektin, ideja e të cilit është promovimi dhe ruajtja e trashëgimisë, kulturës dhe gjuhës shqipe, ndërsa synon futjen e produkteve shqiptare në tregun belg, e më pas edhe në vendet tjera.
