Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) e ka emëruar gazetarin Elez Biberaj, si drejtor në detyrë të Zërit të Amerikës.
Zëri i Amerikës shkruan se emërimi i Biberajt u njoftua në një e-mail për stafin të martën nga drejtori ekzekutiv i caktuar kohët e fundit i USAGM, Michael Pack, i cili gjithashtu emëroi udhëheqësit në detyrë të rrjeteve të tjera të lajmeve të mëdha të financuara nga SHBA.
Ndryshe, Biberaj ka qenë drejtor i Zërit të Amerikës në Eurasia Division që nga viti 2006, duke e bërë atë përgjegjës për programimin e Zërit të Amerikës për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan.
Ai gjithashtu ka shërbyer si shef i shërbimit në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës.
Biberaj është i doktoruar në shkencat politike nga Universiteti Columbia dhe është autor i katër librave, duke përfshirë “Shqipëria në tranzicion, rruga e vështirë drejt demokracisë 1990-2010”.
Emërimi thuhet se vjen në një kohë kur publiku po debaton për pavarësinë e politikës editoriale të Zërit të Amerikës.
Paraardhësi i Biberajt në Zërin e Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësi i saj, Sandy Shugawara, dhanë dorëheqjen disa ditë para se Peck të largonte disa shefa të rrjetit mediatik, sapo ai mori përsipër menaxhimin e Agjencisë në fillim të muajit.
Ndryshe, sipas Wikipedia, Elez Biberaj u lind më 15 nëntor 1952, në një fshat të banuar me shqiptarë në Plavë të Malit të Zi, një vit pasi prindërit e tij ishin detyruar të linin vendlindjen e tyre, Shqipërinë, si pasojë e regjimit totalitar./Telegrafi
