Kanë ngelur edhe tetë ditë deri në shpalljen e rezultateve të regjistrimit të popullsisë. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi thotë se është i kënaqur nga procesi, ndërsa nuk deshi ta komentojë deklaratën e drejtorit të Entit të Statistikave, Apostoll Simovskit se pas publikimit të të dhënave do të krijojë shumë armiq dhe pakënaqësi.
“Aspak nuk do t’ia vë veshin kritikave, jam i vetëdijshëm. E di se muajin e ardhshëm do të jem armiku numër një shtetëror”, tha Simovski.
“-Ka disa deklarata që janë për keqardhje nga drejtori i Entit statistikor.
-Çfarë ka dashur të thotë me këtë?
-Unë e di por do t’ia lë atij që ta shpjegojë dhe nuk ka nevojë për kështu dramë në shoqëri. Unë dua të ju falënderoj juve për gjithë ndihmesën gjatë procesit të regjistrimit, sepse vërtetë keni bërë punë të shkëlqyeshme. Në çdo ditë të regjistrimit keni bërë fushatë, pikërisht edhe me diasporën, gjithë që kanë dhënë kontribut, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, Albin Kurtin dhe gjithë ministrat që u bënë pjesë e fushatës”, tha Grubi.
Zëvendëskryeministri siguron qytetarët se nuk do të ketë manipulime rreth numrave. Shqiptarët dhe etnitë tjera do të dalin aq sa janë, tha ai.
“Nuk do të ketë më çfarëdo qoftë drojë te cilido qoftë komunitet rreth asaj se cili çfarë është dhe a janë shqiptarët 10, 12 ose 14% siç e dini propagandat në këtë vend. Vetëm është falsifikuar regjistrimi i viti 2002. Jam i bindur se të gjitha këto pretendime do të mohohen, do të demantohen në fund të marsit kur të shpalosen rezultatet dhe dua t’i rehatoj qytetarët, le të rrinë të qetë sepse numrat janë aq sa janë, jam i kënaqur nga procesi i zhvilluar”, u shpreh Grubi.
Të dhënat nga regjistrimi i shtatorit, i cili u prolongua disa herë, duhet të publikohen më 30 mars. Operacioni statistikor me 20 vite vonesë më në fund duhet të japë numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe të amvisërive.
