Mbi 1000 ikona dhe objekte kishtare viteve të fundit janë vjedhur nga kishat e rajonit perëndimor. Vetëm rreth 60 janë gjetur në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër supozohet se kanë përfunduar në tregjet e zeza në Evropë dhe Azi. 21 prej tyre pritet që të kthehen nga Shqipëria në vendin tonë. Delegacioni qeveritar i Shqipërisë gjatë vizitës së djeshme në Shkup solli njërën nga ikonat e gjetura në Shqipëri.
Pas evidentimit se ikonat gjenden në shtetin fqinj, që nga viti 2013 autoritetet e vendit kanë nisur procedurat për rikthimin e të njëjtave në vend.
“Siç është e njohur në aksionin policor “Ikonat” në tetor të vitit 2013 u realizua në Shqipëri u gjeten një numër i madh ikonash dhe objekte kishtare. Me një bashkëpunimi të organeve kompetente mes dy vendeve u shkëmbyen informacione dhe njoftime të cilat vërtetuan se 20 ikona nuk janë me prejardhje nga Republika e Shqipërisë dhe se ekzistojnë indice se të njëjtat janë futur ilegalisht nga RMV”, tha Bisera Konstadinovska, ministre e Kulturës.
Nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim dhe kthim të ikonave nga ana e dy ministrave, Sasho Cvetkovski nga qendra hulumtuese për trashëgimi kulturore në ASHAM e sheh si hap historik të dy vendeve.
“E dini ne kemi tani 20 konkretisht të realizuara por të identifikuara janë edhe 37 të tjera shtesë të cilat mendojmë ti kthejmë në procesin e dytë të cilin tani do ta hapim, d.m.th. kjo është ndoshta 10% ose 5% e asaj që është marrë në atë kohë”, pohoi Sasho Cvetkovski, Qendra hulumtuese për trashëgimi kulturore në ASHAM.
Ministrat e kulturës të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dje firmosën marrëveshje për kthimin e të gjitha ikonave të identifikuara. 21 ikona me vlerë kulturore-historike janë vjedhura nga kishat e fshatrave të Strugës si Radohozhdë, Burinec dhe Sellcë.
