Shqipëri, nga e enjtja mbajtja e maskës e detyrueshme kudo

TË FUNDIT

Nga e enjtja të gjithë me maskë kudo, ndryshe gjobat do të zbatohen në kohë reale me OSHE, këto janë masat e reja të vendosur nga Qeveria shqiptare të prezantuara nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, Orgeta Manastirliu në konferencë për media.

Sipas kryeministrit këto masa kanë qëllim ndalimin e një karantine të dytë që do të ishte “si cjapi tek kasapi” për ekonominë shqiptare.

“Nga java e ardhshme maska e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë dhe restorantit apo barit ku je ulur në tavolinë.  Maska e detyrueshme në çdo mjedis, çdo rrugë, hapësirë publike. Masa ndëshkimore do të zbatohet për të gjithë tek fatura e dritave të mos ketë asnjë iluzion asnjë individ që mund ti shmanget gjobës. Maska kudo. Në autobus, në makinë, në rrugë”, deklaroi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se më mirë të mbajshë një maskë sot se mbyllja e dyqanit nesër.

“Më mirë një maskë sot se mbyllja e dyqanit nesër më mirë një maskë sot se mbyllja e shkollës nesër. Do mbaj maskë jashtë, brenda nuk diskutohet.Siç e shihni është një tendencë e përgjithshme që nuk i shmangemi dot. Kam parë një sërë vendesh që janë kthyer tek oraret e kufiizuara të shërbimeve tek mbyllja e bareve ne orën 8-9 të darkës. Nuk dua të shkojmë drejt këtyre masave ta kalojmë dimrin pa këto mas”, tha Rama.