“Shpresoj të krijohen parakushtet për ndryshimet kushtetuese”, deputeti i Bundestagut gjerman me mesazh për partitë politike në RMV

TË FUNDIT

Presidenti Stevo Pendarovski priti në takim Michael Roth, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman. Ata vlerësuan se hapja e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është me rëndësi thelbësore në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe  në përballjen me ndikimet e  agresionit rus në Ukrainë. Roth tha se liderët politikë duhet të angazhohen që të bëhen ndryshimet kushtetuese, me çka bullgarët, bashkë me malazezët dhe kroatët do të futen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

“Unë shpresoj që tani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të krijohen parakushte që të mund të vazhdohet angazhimi për negociatat aderuese. E di që shumëkujt aspak nuk i bie lehtë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese, por secili duhet ta parashtrojë pyetjen: Jo si unë mund t’i ndihmojë partisë sime, por si mund unë t’i ndihmojë dhe të kontribuojë për vendin tim”, tha Michael Roth – kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut.

Kabineti i shefit të shtetit kumtoi se Pendarovski dhe Roti kanë shkëmbyer mendime dhe informacione rreth qëllimit të Gjermanisë për ringjalljen  e Procesit të Berlinit në gjysmën e dytë të vitit 2022. Presidenti Pendarovski në këtë rast theksoi se Procesi i Berlinit nuk duhet të trajtohet si zëvendësim i procesit të anëtarësimit në BE dhe shtoi se për Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Me Rotin u takua edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi,  Ai e informoi bashkëbiseduesin për kontributin  dhe obligimet e vendit në NATO, për përmbajtjen konsekuente ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe mbështetjen dhe ndihmën që sigurohet për nevojat e Ukrainës.