Në katin e dytë të një pallati në lagjen e studentëve në Tetovë, në mesditë ka shpërthyer një zjarr, si pasojë e të cilit, fatmirësisht, janë shënuar vetëm dëme materiale. Të parët të cilët e kanë hetuar zjarrin kanë qenë banorët të cilët kanë dalë menjëherë jashtë ndërtesës dhe kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësit. Banorët e shqetësuar nga shpërthimi i zjarrit, e kanë vënë në dukje mungesën e hidrantit në pallat.
“Ma merr mendja se ato që kanë banuar në banesën nr.4, kanë harruar nxehjen ndezur. Në moment që hetuam se ka tym, së pari e nxora familjen time, jam munduar me të dy djemtë të jap ndihmë, kemi bërë thirrje tek zjarrfikësit të cilët kanë qenë të saktë dhe shumë shpejt kanë qenë në vendngjarje. Pallati nuk posedon hidrant. Është e udhës që të ketë çdo pallat hidrantin e vet.”
Shefi i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit në Tetovë, Uka Aliti, tha se njësiti ka marrë të gjitha masat, fillimisht për të evakuuar banorët dhe pastaj edhe për të vënë nën kontroll zjarrin.
“Kemi dalë me tre automjete kundër zjarrit si dhe me nëntë zjarrfikës shpëtimtarë, kështu që shumë shpejt zjarrin e kemi future nën kontroll si dhe kemi bërë evakuimin e banorëve nga banesat. Mendoj që u krye gjithçka ashtu siç duhet, nuk lamë që flakët e zjarrit të depërtojnë edhe nëpër banesa të tjera”, tha Uka Aliti – Komandant i NJTKZ – Tetovë
Nga SPB kanë dalë në vendngjarje dhe po hetohet shkaku i shpërthimit të zjarrit.