Shpenzohen 123 milionë euro për blerje elektronike, për 6 muaj hapen online 202 vende të shitjes

TË FUNDIT


Qytetarët në vendin tonë kanë shpenzuar 123 milionë euro në 6 muajt e parë të këtij viti në dyqanet online në vend, që paraqet 73% e vlerës së përgjithshme të transaksioneve të realizuara në mënyrë elektronike. Sipas të dhënave të Bankës Popullore për po të njëjtën periudhë janë hapur 202 online vende shitjeje.

“Disa prej qytetarëve me të cilët folëm thonë se janë vendosur për blerje online me qëllim që t’i shmangin turmat dhe pritjet e gjata, sidomos gjatë kohës së pandemisë. Ne do të porosisim në internet një tortë, sepse kemi arsye të veçantë për këtë”, raporton gazetarja e TV21, Aleksandra Velinova.

Në gjysmën e parë të vitit 2021, vlera e përgjithshme e transaksioneve të realizuara online brenda dhe jashtë vendit, arriti deri në 168,7 milionë euro, që paraqet rritje prej 61% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në gjysmën e parë të këtij viti, shënuam rritje prej 77% në vlerën e transaksioneve të kartelave të brendshme ndaj tregtarëve elektronikë në vend. Në krahasim me vitin 2020 kjo rritje është inkurajuese duke pasur parasysh se vitin e kaluar tre muaj kishim Covid, gjegjësisht në tremujorin e dytë të 2020-tës ishin në fuqi masa të rrepta kufizuese. Megjithatë, siç e theksojmë pothuajse gjithmonë, duhet të kihet parasysh se në këto statistika janë përfshirë të gjitha transaksionet e realizuara në internet, përfshirë edhe ato për pagesë të faturave”, vlerëson Nina Angellovska, kryetare e Asociacionit për e-tregti në Maqedoni.

Të huajt ndaj tregtarëve elektronikë vendas në gjysmën e parë të vitit 2021 kanë bërë transaksione prej 7.6 milionë eurove, gjegjësisht 75% nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Nga ana tjetër, qytetarët e Maqedonisë, në vendet e huaja kanë bërë transaksione në vlerë prej 38 milionë eurove në 6 muajt e parë të vitit. Në Maqedoni, deri më 30.06.2021 aktive kanë qenë 1.661 vende virtuale të shitjes.