Deri në fund të këtij viti të gjithë qytetarët obligohen të pajisen me dokumente të reja identifikimi, me emrin e ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski thotë se kjo vlen edhe për ata që kanë afat në dokumente.
“Sa i përket afatit, domethënë vitin e ardhshëm 2024 është afati deri kur duhet të ndërrohen dokumentet personale, sepse ne dhamë afat për futjen e Kushtetutës dhe ligjit për gjuhët”, tha Oliver Spasovski – ministër i Shëndetësisë.
E emri i ri, qytetarëve do t’u kushtojë më shumë, sepse çmimi për nxjerrjen e dokumenteve identifikuese është rritur, mirëpo ministrit Spasovski nuk i duket çmimi i lartë.
“Sa i përket rritjes së çmimit, ne sqaruam se çmimet e blerjes janë rritur me 90% të ripromaterialeve dhe për këtë arsye kemi bërë një rritje e cila nuk është e madhe”, pohoi Oliver Spasovski – ministër i Shëndetësisë.
Disa qytetarë që anketuam thonë se vetëm se kanë nisur t’i ndryshojnë dokumentet, mirëpo këtë procedurë e shohin si ngarkesë shtesë. Pensionistët u ankuan për çmimn e lartë për lëshimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave.
A mendon se është shtrenjtë nxjerrja e dokumenteve?
-Kanë hapur shumë vrima, për 400 denarë është shtrenjtuar të nxjerrësh pasaportë.
Me 12 mijë denarë pension çfarë të bëjmë ne kur të hyjmë nëpër dokumente e gjëra, e gjysmën tjetër të muajit çfarë të bëjmë. Mirëpo çfarë të bëjmë kjo është, deshtëm nuk deshtëm.
-Normalisht që e ndjejmë absolutisht, në këtë shtet normal që e ndjejmë. Gjithçka është me para, kështu që normal që po, kjo nuk është mirë për popullin mirëpo sido që të jetë ajo që duhet të bëhet, dokumentet patjetër të nxirren, e si do të jenë pasojat vetë njerëzit e dinë.
-Po është ngarkesë po. E për çmimet që janë shtrenjtuar? E po janë shtrenjtuar. Çfarë të bëjmë tani, kjo është.
Për letërnjoftim qytetarët do të duhet të paguajnë 310 denarë, që është një rritje prej 120 denarë. Patentë shoferi do të kushtojë 410 denarë, apo 130 denarë më shtrenjtë. Çmimi i pasaportës për një person deri në 27 vjeç mbetet 1500 denarë, por për një person mbi 27 vjeç do të jetë 2000 denarë.
Ndryshime çmimesh do të ketë edhe pas një procedure urgjente. Pasaporta me procedurë urgjente do të kushtojë 6.100 denarë, që është një rritje prej 1.600 denarë, ndërsa patentë shoferi do të kushtojë 1.230 denarë, që është një rritje prej 390 denarë.
