Gjermania në dhjetor mund të fillojë me vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit, kumtoi ministri i Shëndetësisë të Gjermanisë Jens Shpan.
“Ka arsye të jemi optimistë se vaksina do të aprovohet në Evropë këtë vit. Dhe atëherë mund të fillojmë vaksinimin menjëherë”, tha Shpan në një intervistë për RND gjermane.
Sipas mediave britanike, ai u kërkoi shteteve federale gjermane të përgatisin qendrat e vaksinimit deri në mes të dhjetorit.
“Do të preferoja që qendrat e vaksinimit të jenë gati disa ditë më herët sesa të kemi vaksinë të miratuar që nuk përdoret menjëherë”, tha Shpan.
Ministri gjithashtu potencoi se Gjermania, përmes Komisionit Evropian, me marrëveshje bilaterale dhe opsioneve të tjera, tashmë ka siguruar më shumë se 300 milionë doza të vaksinës dhe tha se kjo është më se e mjaftueshme dhe madje lë hapësirë për ndarjen e vaksinës me vendet e tjera.