Qyteti i Shkupit shpalli thirrje të re publike për transportuesit privatë në transportin publik. Kryetarja Danela Arsovska, thotë se shpallja e re për 16 linja, për të cilën prisnin të paraqiteshin transportuesit privatë, është e njëjtë me atë të mëparshmen, për të cilën nuk u paraqit asnjë kompani private, sepse kanë kërkuar pagesën e borxhit të papaguar prej 1.5 milionë euro. Arsovska, e cila prej muajsh thotë se nuk ka borxh ndaj kompanive private, tani pohon se është gjetur zgjidhja dhe siguron se transportuesit privatë do të paguhen në të njëjtën mënyrë siç janë paguar për 30 vitet e fundit.
Ndërsa për arsyet e bllokimit të rrugëve tha se kanë qenë me motive politike.
“Arsyet për bllokadat kanë qenë, një pjesë personale ndërsa një pjesë motive politike. Ne siç kemi thënë disa herë, dhe kjo është…nuk dua të hy në manipulimet që u plasuan në publik, është që atje ka kërkesa rrjedhëse. Kjo do të thotë kur keni nënshkruar marrëveshje, për atë marrëveshje fitoni faturim me paradhënie, që janë detyrime të pashlyera. E gjithë ajo që është kërkesë rrjedhëse nga marrëveshja e re dhe nga marrëveshja e kaluar me transportuesit privatë, me NQP-në, është gjetur zgjidhje e përbashkët, vazhdojnë tutje dhe këto detyrime do të paguhen në mënyrë rrjedhëse, siç ka qenë në 30 vjetët e fundit”, tha Danella Arsovska – Kryetarja e Shkupit.
Edhe shoferët nuk duan të flasin më ër borxhin. Thonë se Qyteti i Shkupit nuk ju ka borxh.
“Sa i përket borxhit, e përsëris, borxh ndaj nesh Qyteti i Shkupit nuk ka. Ja NQP dhe kjo pritet të zgjidhet dhe do të doja që kjo çështje ta mbetet anash dhe të flasim për tema tjera”
Transportuesit privat presin që në fillim të prillit të gjithë të kthehen në punë.
“Të gjitha linjat janë ndarë në 3 pako, pra të gjithë ne do të kthehemi në punë dhe 210 autobusë do të jenë në funksion. Ne jemi të kënaqur që punët arritën në këtë drejtim. Nesër do të marrim dokumentacionin e tenderit për këtë shpallje publike dhe do të shohim çka është e nevojshme dhe në afatin e duhur do të dorëzojmë dokumentet për tu përfshirë në këtë shpallje publike”
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska gjithashtu paralajmëroi reformë të madhe në transportin publik ku, siç tha, do të ketë rregullim të standardeve eko, që qytetarët të kenë transport publik të shpejtë e cilësor.
