Shoferët e autobusëve shkuan te zyrat e NQP-së! Drejtori nuk i pranoi, ishte në takim tjetër

TË FUNDIT

Shoferët e autobusëve privat u mblodhën sot para zyrave të NQP-së. Ata kërkuan që të takohen me Drejtorin e Ndërmarrjes për të biseduar në lidhje me borxhin prej 2 milionë euro dhe për të pyetur se çfarë janë ato 5 mijë denarë që ndërmarrja ua ka lëshuar ditëve të fundit. Por takimi nuk ndodhi për shkak se drejtori nuk ishte aty.

“Kërkuam të na pranojë drejtori, na thanë që drejtori nuk është këtu për momentin ka shkuar në takim, i kemi lënë të dhënat tona, shpresojmë të takohemi, shpresojmë të na pranojë, të bisedojmë për të gjitha punët, për të gjitha problemet që na malltretojnë, dhe shpresojmë që do gjejmë zgjidhje të përbashkët në këtë golgotë që e kemi ne transportuesit privat”, tha Jovica Zafirovski, shofer autobusi.

Shoferët thonë se tani do të insistojnë që të takohen me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska, por edhe me kryeministrin Kovaçevski. 

“Mendojmë që kryetarja e Shkupit do na pranojë për arsye se ne tani kemi bërë këshill të ri, nuk dalim ta akuzojmë dikë. Ta shohim kush është fajtori pse të hollat nuk kanë ardhur, ka pasur të na jep para mirëpo arsyen pse duhet ta dimë”, pohoi Memed Asani, shofer autobusi.

Ata paralajmërojnë se nëse nuk gjendet zgjidhje do bëjnë sërish grevë duke bllokuar rrugët e Shkupit.

Kërkuam përgjigje nga NQP dhe Qyteti i Shkupit se a do zhvillojnë takim me transportuesit privat, por deri në këtë edicion të lajmeve nuk morëm qëndrim.