Tre administratorë të Bankës Popullore marrin drejtimin e “Alta Bankës”, kanë 21 ditë për të vlerësuar gjendjen!

TË FUNDIT

Banka Popullore ka vendosur administrim të përkohshëm tremujor në “Alta Banka” SHA Manastir, për shkak të rrethanave që mund të rrezikojnë seriozisht aftësinë e bankës për të përmbushur detyrimet financiare, përkatësisht aftësinë paguese, përcjell TV21. Me vendimin e marrë më 1 nëntor, administratorë janë emëruar Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska. Ata marrin përsipër kompetencat e Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe të Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit. Andovski është autorizuar posaçërisht për të nënshkruar vendimet gjatë periudhës së administrimit.

Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të përcaktuar gjendjen e përgjithshme të bankës dhe për të dorëzuar raport në Bordin Ekzekutiv të Bankës Popullore. Gjatë periudhës tremujore, ata do të kontrollojnë edhe pagesat e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative, të cilat do të mund të realizohen vetëm me miratimin e tyre. Qëllimi i administrimit të përkohshëm është që banka të vazhdojë punën, ndërsa të mbrohen mjetet dhe interesat e depozituesve dhe kreditorëve të tjerë deri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë.

Kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur kufizime në daljen e mjeteve nga banka. Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa me kartelat e lëshuara nga banka nëpër tregtarë. Pagesat e brendshme nga llogaritë e personave fizikë drejt llogarive të tjera brenda bankës do të vazhdojnë të realizohen pa kufizim të shumës.

Personat juridikë do të mund të kryejnë pa kufizime pagesa të brendshme drejt personave fizikë dhe juridikë që kanë llogari në këtë bankë. Megjithatë, nuk do të mund të transferojnë mjete jashtë bankës përmes sistemeve të pagesave në vend dhe as të tërheqin para të gatshme nga bankomatët apo sportelet e bankës.

Pagesat hyrëse nga jashtë, përmes sistemit SEPA dhe bankave korrespondente, do të zhvillohen pa pengesa. Ndërkaq, pagesat dalëse drejt vendeve të huaja përkohësisht nuk do të jenë të disponueshme as për personat fizikë dhe as për ata juridikë.

Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se depozitat e personave fizikë janë të siguruara përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave deri në shumën prej 30.000 eurosh, në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkohë, personat që kanë kredi në këtë bankë duhet të vazhdojnë t’i përmbushin me kohë detyrimet e tyre.

Administrimi i përkohshëm do të zgjasë tre muaj, ndërsa Banka Popullore paralajmëron se do ta ndjekë vazhdimisht gjendjen dhe do t’i rishikojë kufizimet në varësi të zhvillimit të situatës.

Guvernatori Trajko Sllaveski deklaroi dje se është formuar një ekip prej shtatë të punësuarish për të monitoruar punën e “Alta Bankës” në Manastir.

Ai bëri të ditur se pronari nga Beogradi është njoftuar që t’i nxjerrë aksionet në shitje, në të kundërtën Banka Popullore do t’i ofrojë ato në ankand. Sipas tij, tashmë ka blerës të interesuar.

Nga Banka Popullore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe klientëve që të informohen përmes burimeve zyrtare dhe të mos marrin vendime në bazë të informacioneve të paverifikuara, duke theksuar se tërheqja e panevojshme dhe masive e mjeteve nuk është në interes të depozituesve.