Mbi 4 tonë marihuanë, 18.000 bimë dhe 79 kilogram lule marihuane, si dhe mbi 21 kilogramë droga të tjera si amfetaminë, kokainë e heroinë.
Mbi 100 copë armë, si dhe mbi 1.000 fishekë dhe pjesë të tjera armësh.
Të gjitha këto u shkatërruan në aksionin për asgjësimin e lëndëve narkotike dhe armëve të konfiskuara.
Nga fabrika “Makstil” ku u bë shkatërrimi, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, tha se droga dhe armët ilegale nuk kanë vend në Maqedoni.
“Me procese të këtilla, me shkatërrimin e sa më shumë drogave dhe armëve në të ardhmen, tregojmë se siguria e qytetarëve të Maqedonisë dhe veçanërisht siguria e të rinjve, çdo gram e shkatërruar droge dhe çdo pjesëze arme, ngrihet në një nivel më të lartë”, tha Pançe Toshkovski, ministri i Punëve të Brendshme.
Toshokvski u zotua se shkatërrimi i drogave dhe armëve të konfiskuara do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Këto janë droga dhe armë të mbledhura nga vitet e kaluara, për të cilat proceset gjyqësore tashmë kanë përfunduar me vendime përfundimtare. Në të ardhmen do të ketë edhe sasi shumë më të mëdha për asgjësim”, u shpreh Pançe Toshkovski, ministri i Punëve të Brendshme.
Shkatërrimi kryhet në organizim të Ministrisë së Brendshme, Agjencisë për Menaxhim me Pasurinë e Konfiskuar dhe Komisionit Shtetëror për Shkatërrimin e Drogërave Narkotike dhe Komisionit Kombëtar për Armë të Vogla dhe të Lehta.
