Shkarkohen mbeturina në fshatin Popoec të Kërçovës dhe mbulohen me dhè

TË FUNDIT

Kjo video është xhiruar gjatë ditës së djeshme në Fshatin Popoec të Kërçovës.
Kamion i mbushur me mbeturina, por sipër i mbuluar me dhè që të mos vërehet, po shkarkohej në fshat.
Kur kamioni shkarkoi mbeturinat, atëherë gjithçka u bë e qartë së për çfarë bëhet fjalë.

Banorët të revoltuar nga kjo situatë e cila po ndodhë gati 5 ditë radhazi kanë lajmëruar policinë e vendit dhe po merren masa.
Deri sa TV21 arriti në terren mbeturinat e hedhura i kishin mbuluar me dhè që të mos duken. Banorët pohojnë se kamioni i takonte një kompanie që është pjesë e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër. Ata e kishin ndjekur deri te NP “Kumunalec” ku po ngarkohej me mbeturina.

“Firma e ndërtimit e cila po kryen punimet në autostradën Kërçovë-Ohër i sillte mbeturinat nga deponia e NP “Komunalecit” nga deponia komunale, me dy kamionë nga të cilët njëri kamion u kap në vendin e ngjarjes se si i hedh mbeturinat, ndërsa tjetri u kthye. Në orët e para të mëngjesit vërejta se tek deponia e NP “Komunalec” kamionët mbusheshin me makineri të Komunalecit, dy kamionë nga kompani private”, tha ky banor.

“Diçka po shihet por tjera është e mbuluar me dhè. Çdo herë këtë e bëjnë, bëhet fjalë për 5 ditë minimum që ne e dimë dhe para asaj mundet edhe më shumë, bëni llogari nga 20 ose 30 kamionë në ditë nëse sillen dhe ja si e kanë mbuluar, por vërehet. Unë në mëngjes u fsheha në mal dhe e lash kamionin të parkohet, e hodhi. Kamioni ishte ngarkuar me mbeturina dhe sipër i maskuar me dheun”, tha ky banor.

Sapo ka parë që dikush po e xhironte, kamioni kishte filluar të ikte. Banorët thonë se nëse nuk merren masa, ata do të marrin ata vetë masa më radikale duke bllokuar rrugën magjistrale.
Nga NP “Komunalec” e mohuan këtë duke thënë se mbeturinat e hedhura nuk janë ngarkuar tek ndërmarrja dhe se nuk kanë të bëjnë me këtë që ka ndodhur sot.
Ndryshe sot NP “Komunalec” ka pastruar deponitë e mbeturinave të krijuara rreth rrugës regjionale të fshatrave të Osllomesë.