Shiu shkaktoi vërshime në Manastir, janë përmbytur shtëpi dhe objekte afariste

TË FUNDIT

Banorët e Manastirit tërë natën e kanë nxjerrë ujin nga shtëpitë e tyre dhe objektet afariste pas shirave të rrëmbyeshme që shkaktuan vërshime. 

Kjo është shtëpia e një familjeje prej Manastirit në rr. Gjorçe Petrov. Dhoma e ditës është shndërruar në pishinë.

 “Për shkak se kanali drejt hekurudhës është mbyllur, me rrugën e re kur e bënin, nuk kanë vendosur gyp. Tani ky kanal mbushet prej atje dhe kur të vijë deri këtu, uji derdhet”, tha një qytetar.

Qytetarët thonë se menjëherë i kanë lajmëruar shërbimet kompetente, por të njëjtat kanë reaguar disa orë me vonesë.

 “Ja, shihet se deri ku ka qenë niveli i ujit, shumë ujë, ne kërkuam më herët ndihmë, nuk e di, ndoshta ishin të zënë, ndoshta ka pasur probleme edhe diku tjetër. Derisa erdhën, kaloi një orë e gjysmë, kjo ishte plot ujë”, theksoi një qytetar.

Njëra prej lagjeve më të goditura është Jeni Male. Banorët nuk deshën të flisnin para kamerës, por thanë se problemi nuk është prej tani. Disa herë kanë kërkuar nga komuna që ta zgjidhë problemin, por nuk kanë marrë përgjigje. Këto incizime janë nga hyrja e qytetit ku kanë mbërthyer edhe disa vetura. Dëm i madh material është bërë edhe në Çarshinë e Vjetër në Manastir ku janë përmbytur thuajse të gjitha bodrumet. Kryetarja e komunës tha se tërë natën ekipet kanë punuar në pikat kritike, ndërsa do të bëhet edhe dezinfektim për shkak se në shumicën e objekteve ka hyrë ujë nga kanalizimi.

 “Menjëherë, pas thirrjeve të para, ndërmarrjet publike “Objekte të ulëta” dhe “Ujësjellës” së bashku me zjarrfikësit kanë dalë në terren, u mblodh edhe Shtabi i krizës ku ishte definuar se çka është bërë gjatë këtyre dy – tri orëve, që pastaj të jepen udhëzime për veprimet e ardhshme, kanë punuar tërë natën që t’i pastrojnë pikat më kritike. Pas kësaj do të bëhet dezinfektim i cili është shumë i rëndësishëm duke i marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendemi”, deklaroi Natasha Petrovska, kryetare e Manastirit.

Banorët thonë se vërshime të këtilla nuk kanë ndodhur 10 vitet e fundit. Komuna publikoi thirrje në të cilën qytetarët duhet të dorëzojnë kërkesë për dëmshpërblim. Për vetëm 15 minuta, 40 litra shi ka rënë në një metër katror, ndërkohë është vepruar me raketa kundër breshrit.