Shitësit e tregut të gjelbër me shumë probleme(Foto)

TË FUNDIT

Tregu i Gjelbër i Prishtinës, përveç se nuk ka kushte të duhura për punë, aty tashmë ka filluar edhe presioni nga ana e inspektoratit, që tezgat e vogla prej dyqanesh, shitësit t’i emërojnë si firma, në mënyrë që të paguhet tatim për to. Kjo po ndodh, përkundër asaj që secili shitës aty paguan qiranë e vet me rregull.

Hapësira e cila ndan tezgën me tezgë është shumë e vogël. Në shumë raste edhe vështirë e kalueshme. Rruga është e ngushtë dhe plot baltë. Shitësit detyrohen që produktet e tyre t’i reklamojnë në rrugë, edhe pse e tëra me pluhur.

Për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit gjatë verës dhe nga shiu e bora gjatë dimrit, shitësit në këtë treg kishin vendosur mbi tezga të tyre “strehë” prej plastike, e mbi to shishe uji, gurë e gjëra tjera të forta, në mënyrë që ato të mos “fluturojnë”. Aty është shumë e mundur, që në rast të ndonjë ere të madhe, ata gurë të bien mbi koka të qytetarëve e të lëndohen.

Shitësit ankohen se në kushte të tilla, ata nuk mund ta kryejnë punën e tyre siç duhet.

Rrahim Gavori, i cili prej vitesh shet në këtë treg, tha se problemet këtu nuk mungojnë. Përpos kushteve të këqija, ai tha se prezenca e policisë në treg nuk ësht ë e nevojshme. Kjo për arsye se ata as nuk kanë vjedhur, as plaçkitur.

Të njëjtën gjë e pohon edhe Rasim Hajdini. Sipas tij, askush nuk interesohet për ta ndihmuar këtë treg. Madje inspektorati kërkon që të hapin firma, sepse nuk janë të kënaqur me paratë që japin çdo muaj.

Hajdini thotë se, edhe pse ankohen, askush nuk e merr parasysh këtë gjë dhe përgjegjësia nuk bie mbi askënd.

Kurse, Bajram Podvorica, i cili po kalonte kah tregu, kujtoi dallimin mes këtij tregu sot dhe tregut që ka ekzistuar vite më parë. Sipas tij, më parë ka pasur rregulla.

Podvorica po ashtu thekson se rrezik këtu paraqesin edhe hajnat, të cilët me shumë lehtësi vjedhin.

Shitësve në këtë treg tashmë u kishin thënë se shumë shpejt komuna do ta heqë tregun nga ky vend. Ata janë të shqetësuar se ku do e zhvendosin dhe a do u lejohet puna që e kanë bërë tash e disa vite.

E në rast se ndodh që të vazhdojn ë këtu, atëherë ata kërkojnë që komuna të merr përgjegjësi për këtë treg dhe ta rregullojë. Sipas tyre, aty duhet të krijohen hapësira dhe kushte më të mira për punë. E po ashtu e mirë do të ishte që edhe inspektorati të mos u bënte presion, duke kërkuar që “dyqanet” t’i regjistrojnë si firma, sepse të ardhurat nga kjo punë janë aq të vogla saqë edhe një shpenzim shtesë si tatimi, do të ishte më se i tepërt.

unnamed (4)

unnamed (3) unnamed (1)unnamed (2)