15 projekte dhe një mega projekt. Kështu kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, i cili garon për mandat të dytë, Petre Shilegov e përshkroi programin e kundërkandidates Danella Arsovskën, e cila e refuzoi ftesën për të marrë pjesë në emision.
“Të gjithë ato janë në fazë realizimi, duke përfshirë edhe tunelin nga “Limaku”, këtu afër. Unë e prezantova në opinion publik, pasi unë jam njeri i cili punën e vet nuk e bën me pompozitet. 300 metra prej 750, tashmë janë gati”, tha Shilegov.
Analist politik dhe ish-kryetar komune, Imer Selmani tha se me emërimin e tashmë të ndjerit, Enver Maliqi, për zëvendëskryetar, Shilegovi ka fituar besim tek shqiptarët.
“Z.Shilegovi i justifikoi të gjitha këto katër vite, duke marrë mbështetje kaq të madhe në vitin 2017. Ai ndoshta është modest, por unë do të rikujtoj për disa fakte. Fakti që menjëherë pasi e premtoi, e bëri emërimin e tashmë të ndjerit, Enver Maliqin, për shqiptarët dhe për të gjithë votuesit, nuk ishte punë e vogël”, vlerëson Imer Selmani.
Shilegovi në debatin zgjedhor të TV21 theksoi se në Komunën e Çairit për 50 vite nuk është bërë asgjë. Siç shton, në këtë komunë nuk ka pasur as infrastrukturë bazë dhe se në këto katër vitet e fundit kanë punuar shumë.
“Imperativi im është – një qytet për të gjithë. Me politikat që i krijuam brenda këtyre 4 viteve, për herë të parë mund të them se Shkupi është qytet për të gjithë. Më herët për dikë ishte nënë, e për dikë njerkë”, tha më tej Shilegov.
Në qoftë se sërish arrin ta fitojë besimin e qytetarëve, Shilegovi premtoi se rruga “Cvetan Dimov” te Jahja Pasha, do të shndërrohet në bulevard me 6 korsi, sipërfaqe të gjelbra dhe shtigje biçikletash.
