Një punëtor ndërtimi ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë lënduar rëndë pasi janë zënë nga dheu në një kantier ndërtimi në komunën e Kisella Vodës në Shkup, njoftoi për MIA-n doktor Dragan Panov, shef i turnit në Ndihmën e Shpejtë – Shkup.
Sipas tij, sipas informacioneve të para, të lënduarit janë rreth moshës 35 deri në 45 vjeç, ndërsa viktima është rreth 34 vjeç. Ai shtoi se ekipet kanë ndërhyrë me katër autoambulanca.
Vdekjen e njërit person e konfirmuan edhe nga Policia.
“Sot (24.04.2026) në orën 08:17 në Sektorin për Punë të Brendshme të Shkupit është raportuar se në një kantier ndërtimi në rrugën “Kozjak” në Shkup, gjatë gërmimit të themeleve është shembur dheu dhe disa punëtorë kanë mbetur të zënë nën tokë. Tre punëtorë janë nxjerrë dhe janë transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ndërsa një punëtor është gjetur i vdekur, dhe vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.
