SHBA-të pranë marrëveshjes për qasje afatgjatë në rezervat e naftës së Venezuelës 

TË FUNDIT

Përfaqësues të administratës së Trumpit po punojnë për një marrëveshje që do t’u jepte SHBA-së, e cila kontrollon eksportin e naftës venezueliane, qasje afatgjatë në një pjesë të rezervave të naftës bruto të këtij vendi të Amerikës së Jugut, thanë mbrëmë burime të njohura me bisedimet.

Marrëveshja, e cila mund të nënshkruhet dhe të bëhet publike së shpejti, pritet të funksionojë në atë mënyrë që qeveria amerikane të sigurojë një grup fushash naftëmbajtëse në Venezuelë, të cilat do të zhvillohen nga kompani amerikane. Sipas burimeve, furnizimi i nxjerrë prej tyre do të garantohej për SHBA-në.

„Kjo është reale dhe po diskutohet në nivelin më të lartë të qeverive të SHBA-së dhe Venezuelës“, tha njëri prej burimeve.

Një burim tjetër tha se si model ligjor për zbatimin e marrëveshjes po shqyrtohet “dhënia me qira”, ndërsa secila fushë naftëmbajtëse do t’u caktohej prodhuesve amerikanë përmes një ankandi ose tenderi.