SHBA synon të blejnë edhe 200 milionë doza shtesë të vaksinës kundër Kovid-19, deklaroi presidenti i SHBA-së Xho Bajden, duke shtuar se shuma do të ishte e mjaftueshme për të vaksinuar shumicën e amerikanëve deri në verë.
Administrata e Bajdenit do të blejë 100 milionë doza vaksinash të prodhuara nga Fajzer, BioNTek dhe Moderna, duke i çuar dozat e përgjithshme në 600 milionë, me dërgesat që priten para verës.
Qëllimi paraprak i administratës ishte blerja e 400 milionë dozave.
Për të qenë plotësisht efektiv, çdo vaksinë jepet në dy doza për person, që do të thotë se rezervat e reja do të jenë të mjaftueshme për të vaksinuar më shumë se 331 milionë qytetarë në vend.
“Fajzer është i bindur se mund të japë doza shtesë në kohën e caktuar nga presidenti Bajden”, tha Sharon Kastillo, zëdhënëse e kompanisë farmaceutike.
“Moderna” nuk pranoi të komentojë.
Bajden njoftoi se në tre javët e ardhshme, sasia e vaksinave të transferuara tek autoritetet lokale do të rritet në 10 milionë doza në javë, krahasuar me 8,6 milionë aktualisht. Lajmi u mirëprit nga guvernatorët e shteteve federale, të cilët megjithatë thanë se u duhen më shumë doza vaksinash.
