Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për përfundimin e punimeve në rrugën “Faik Konica” në lagjen Dizhon, si pjesë e projekteve infrastrukturore të komunës.
Sipas njoftimit, në kuadër të projektit është bërë rindërtimi i plotë i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal, ndërsa më pas është kryer edhe asfaltimi i rrugës.
Mexhiti, përmes një postimi publik, tha se punimet kanë përfunduar dhe se projektet e premtuara po realizohen.
“Është përfunduar rindërtimi i tërësishëm i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal. Si dhe është bërë asfaltimi i rrugës. Çdo premtim po mbahet. Çdo projekt po realizohet!”, deklaroi Mexhiti.
Nga Komuna e Çairit theksojnë se investime të ngjashme do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për qytetarët.
