Disa pacientë në Bronks të Nju Jorkut shkonin me besim të plotë te dentistja për të mbushur ndonjë dhëmballë, për të hequr një dhemb, apo edhe për të bërë ndonjë mbjellje, mirëpo gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin.
Dentistja në fjalë, sipas autoriteteve amerikane, ishte një shqiptare e cila kurrë nuk kishte ndjekur studimet për stomatologji. Ajo e quante veten Dr. Val. Emri i saj është Valbona Yzeiraj, 45 vjeç dhe nuk ishte e autorizuar të ushtronte profesionin e dentistit.
Sipas hetimeve, Yzeiraj ishte menaxherja e laboratorit të dentistit dr. Xhefri Shongold. Kur ky i fundit nuk ndodhej në punë, ajo vishej si dentiste dhe priste pacientë të ndryshëm.
Këtë detyrë të paautorizuar ajo e ka ushtruar nga nëntori 2012 deri në gusht të vitit 2013. “Ajo diagnostikonte pacientët, bënte rreze x, si edhe u injektonte atyre anestezi deri të mbushjet e dhëmballëve”, ka thënë në gjyq asistenti i dentistit, Patrik Mekadën.
Shqiptarja akuzohet se kishte krijuar edhe klientelën e vetë dhe kryente punë me pacientët pa dijeninë e dentistit. Madje, ajo kishte bërë edhe një ofertë të mirë për ata që kishin probleme me dhëmbët dhe kështu u bë shumë popullore në Bronks.
Dyshimet e para lindën kur një pacient pati komplikacione dhe shqetësime lidhur me dhembët. Disa të tjerë nisën të kishin infeksione orale dhe dhimbje në dhëmballë.
Pas zbulimit, dentisti e shkarkoi nga detyra Yzeirajn, ndërsa kjo e fundit thuhet se u përpoq t’i grabiste xhiron e ditës kur iu komunikua shkarkimi.
