Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë se po tenton të destabilizojë ish-republikën sovjetike, Moldavinë, përfshirë edhe përmes protestave, me qëllim që eventualisht të instalohet një qeveri pro-Moskës.
“Ne besojmë se Rusia po ndjekë opsionet për të dobësuar Qeverinë moldave, ndoshta me qëllim përfundimtar që të ketë një administratë më miqësore me Rusinë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Qeveria e Moldavisë po kërkon që të krijojë lidhje më të ngushta me institucionet perëndimore dhe është e afërt me Qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës fqinje, e cila për më shumë se një vit po përballet me pushtimin rus.
