SHBA ndërmori sulme ajrore në Siri

TË FUNDIT

Për herë të parë që nga fillimi i gjakderdhjes në Siri, aeroplanët luftarak amerikanë kanë bombarduar disa pozicione në Siri, me qëllim që të mbrohen forcat kryengritëse, të cilat po luftojnë kundër Shterit Islamik dhe forcave të Presidentit Bashar Al Asad, ka konfirmuar Pentagoni.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sulmet e para ajrore brenda territorit të Sirisë, me qëllim që të mbrohen kryengritësit, të cilët po zhvillojnë luftë në dy fronte si kundër militantëve islamikë, ashtu edhe kundër forcave të Presidentit, Bashar Al Asad.
Sulmi i parë amerikan është ndërmarrë në fund të javës së kaluar, me qëllim të mbrojtjes së grupit kryengritës, Siria e Re, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Bil Jurban.
Më herët, një zyrtar i administratës amerikane njoftoi se aeroplanët amerikanë kanë sulmuar pozicionet e grupit Fronti Al Nusra, degë kjo e Al Kaidës që vepron në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të ndërmarra kundër kryengritësve, të cilët janë trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Administrata e Presidentit Barak Obama të hënën ka qartësuar se janë duke u përgatitur hapa shtesë, për mbrojtjen e forcave të trajnuara nga amerikanët në Siri dhe Uashingtoni ja ka tërhequr vërejtjen regjimit të Asadit që mos të përzihet. Këta hapa janë miratuar së fundi nga Obama, me rekomandimin e këshilltarëve të tij.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Moskës zyrtare, me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili i cilësoi si kontraproduktive masat e reja të Uashingtonit në Siri./ 21 Media