Administrata amerikane e presidentit Donald Tramp ka blerë pothuajse të gjithë sasinë e ilaçit “Remdesivir” në botë, për tre muajt e ardhshëm, i cili është treguar të jetë efektiv në trajtimin e koronavirusit të ri.
Ekspertët alarmohen nga lëvizja e njëanshme e SHBA-së në lidhje me këtë ilaç, si dhe implikimet më të gjera, duke iu frikësuar faktit se çfarë do të ndodhë një ditë kur të shfaqet vaksina kundër Kovid-19.
Ilaçi “Remdesivir” fillimisht u zhvillua kundër ebolës dhe është prodhuar nga kompania “Xhillid Sajëns”. Ky është ilaçi i parë i aprovuar nga Agjencia për ilaçe në SHBA, për përdorim në trajtimin e koronavirusit dhe është treguar se ndihmon njerëzit të shërohen më shpejt nga sëmundja.
Trajtimi mesatar për Kovid-19, përfshinë gjashtë doza për çmimin e përgjithshëm prej 3.200 dollarë.
Presidenti amerikan ka nënshkruar marrëveshje “të shkëlqyeshme” me “Xhillid Sajëns” për 500.000 doza, që përfaqëson gati 100 për qind të prodhimit të përgjithshëm të kompanisë këtë muaj, 90 për qind në muajin gusht dhe 90 për qind në muajin shtator, kumtoi Departamenti i Shëndetësisë së SHBA-së./MIA
