Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë t’i japin Ukrainës avionë moderne luftarakë amerikanë. Sipas Shtëpisë së Bardhë kjo nuk do të ndodhë shpejt, sepse pilotët ukrainas së pari do të trajnohen për t’i përdorur ato dhe po ashtu integrimi në ushtrinë ukrainase i avionëve të pajisur me sisteme moderne është një detyrë e vështirë dhe kërkon kohë.
Bëhet fjalë jo vetëm për trajnimin e duhur të pilotëve, personelit, por dhe ofrimin e mundësive të mirëmbajtjes dhe riparimit. Një veprim i tillë do të shënonte një rritje të madhe në mbështetjen ushtarake amerikane SHBA për Ukrainën në betejën e saj kundër Rusisë.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 8.2 miliardë Dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. SHBA u ka dhënë ukrainasve 100 milionë Dollarë për të blerë edhe 580 drone si mjete ajrore pa pilot.
Kësaj ndihme iu shtohen edhe 4 sisteme të reja raketash HIMARS që ofrojnë një rreze më të gjatë veprimi dhe saktësi më të madhe se sistemet konvencionale të artilerisë.
Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë furnizuar deri tani Ukrainën me 12 nga këto sisteme çka u ka dhënë dorë ushtarëve të Zelensky-t të godasin me më lehtësi objektivat ruse në territoret e pushtuara.
Shtetet e NATO-s përfshirë SHBA-të kanë hezituar në këto pesë muaj luftimesh që të ndihmonin Zelensky-n me avionë luftarakë kundër pushtuesve rusë.
Vetëm tre javë më parë ishte Sllovakia që vendosi t’i dhurojë Kievit 11 avionët e saj luftarakë MiG-29 për t’i zëvendësuar ato me 14 avionë luftarake amerikane F-16 Block që pritet të fillojë të mbërrijnë në vitin 2024.
Sllovakia kishte ofruar më parë të dorëzonte MiG-29 në Ukrainë nëse NATO pranonte të mbronte hapësirën e saj ajrore gjë që është marrë përsipër tashmë nga Republika Çeke. Një ofertë e ngjashme nga Polonia u hodh poshtë nga SHBA, të cilat kishin frikë se mund të përshkallëzohej konflikti me Moskën edhe jashtë Ukrainës.
