Sharri, Parku Nacional me mbeturina! Nuredini: Qeveria, komunat dhe ndërmarrja duhet t’i pastrojnë

TË FUNDIT

Zgjedhjet lokale që tashmë janë shpallur për më 17 tetor do të ia pamundësojnë funksionimin Ndërmarrjes që do të menaxhojë me parkun nacional “Sharri”, po ministri i Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, tregon se tashmë janë ndarë 100 mijë euro që kjo ndërmarrje të funksionojë në mënyrën normale dhe të ketë organizim të brendshëm.

 “Ne si ministri kemi 100 mijë euro fonde për vitin e parë për funksionim të ndërmarrjes, drejtori u zgjodh Ibrahim Dehari dhe pas kësaj do të krijojmë një sistematizim të brendshëm për administratën, financat dhe në të njëjtën kohë  kemi marrëveshje me ministrinë e Bujqësisë  që ne do të marrim 30% të të punësuarve që janë të punësuar në Tetovë edhe Gostivar, që ata të rikualifikohen por kjo është vetëm si fillim, ideja është që mali Sharr nuk është vetëm kujdesi por hapen shumë mundësi për zhvillimin ekonomik të rajonit”, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Sipas Nuredinit tash është obligim i Ndërmarrjes, Komunаve dhe Qeverisë që ta rregullojnë infrastrukturën e fshatrave, që hapësira t’i ngjajë një parku të mirëfilltë nacional.

 “E kuptoj shumë mirë pyetjen se keni shqetësime se për fat të keq ka shumë mbeturina në malin Sharr, por kjo na obligon si shtet, komunat dhe ndërmarrjen e re, t’i pastrojmë ato, ta rregullojmë infrastrukturën në gjithë vendbanimet që janë në malin Sharr dhe të krijojmë një park kombëtar siç janë Mavrova, Pelisteri dhe Galiçica”, tha Nuredini.

Shumë banorë të fshatrave që janë rrëzë Malit Sharr kanë reaguar se shpallja si park nacional, sipas tyre, do t’ua kufizojë lëvizjen dhe nuk do të mund që të punojnë as tokat e tyre që janë mbi fshatrat ku jetojnë. Por nga ministria kanë thënë se ata vetëm do të përfitojnë edhe nuk do të kufizohen në lëvizje.