Flakët jashtë kontrollit në Belgjikë, zj*arri masiv po afrohet drejt Gjermanisë

TË FUNDIT

Një nga zjarret më të mëdha pyjore të regjistruara në Belgjikë vazhdon të jetë jashtë kontrollit dhe po përparon drejt kufirit me Gjermaninë.

Zjarri në zonën High Fens, në lindje të Belgjikës, ka përfshirë rreth 30 kilometra katrorë, ndërsa qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët në terren të vështirë dhe kodrinor.

Rreth 500 zjarrfikës janë angazhuar në operacion, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, ndërsa ndihmë kanë ofruar edhe Gjermania, Holanda, Suedia dhe Norvegjia. Reshjet e shiut dhe temperaturat më të ulëta kanë lehtësuar përkohësisht kushtet, por zjarri ende nuk është vënë nën kontroll në disa zona.

Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet shqetësuese, pasi zjarri ka depërtuar edhe në shtresat e torfës dhe mund të vazhdojë të digjet nën tokë për javë ose muaj, për t’u shfaqur përsëri në sipërfaqe.

Sipas shërbimeve rajonale të Valonisë, një pjesë e zjarrit po përparon në drejtim të Monschau-t, në Gjermani. Për qindra banorë vijojnë të jenë në fuqi urdhrat për evakuim si masë paraprake.

Ndërkohë, presidenti belg Philippe ndërpreu pushimet verore për të vizituar ekipet e emergjencës që po përballen me situatën.

Ekspertët e lidhin përkeqësimin e kushteve për zjarret me verën jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë në Evropë, ndërsa një studim i fundit ka theksuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në rritjen e rrezikut dhe intensitetit të zjarreve.