S’është gjetur asnjë materie e dëmshme në lumin e Errët, por shoqata “Hunter fish” zotohet se nuk do ta lërë me kaq

TË FUNDIT

Nuk është gjetur asnjë materie e dëmshme në mostrat e marra në Lumin e Errët në Kërçovë, në të cilin rreth një muaj më parë u vu re një materie e bardhë dhe peshq të ngordhur. Në këtë përfundim ka arritur Inspektorati i Ambientit Jetësor pas analizave të bëra.


“Ju informojmë se nga rezultatet e analizave të ujit nga Lumi i Errët, Kërçovë se sipas Raportit 192/25 dhe 192-1/25 të datës 11.09.2025 vit nga ana e Laboratorit EUROMAK KONTROLL Shkup nuk ka tejkalime të Vlerave kufitare të lejuara për ujërat sipërfaqësor – Kategoria III – sipas Rregullores për klasifikim të ujërave dhe Rregullores për kategorizim të ujërave, liqeneve, akumulimeve dhe ujërave nëntokësorë (Gaz. Zyrtare e RM nr.18/99 – Klasa III): Parametrat e lejuar për: Cijanide, Krom 6 valent, Arsen, Kadmium, Plumb, Nikël, Mangan, Hekur dhe Antimon janë në kufijtë e lejuar. D.m.th. nuk ka tejkalim të kufijve të lejuar sipas rregullores së cituar më lartë”, tha Bedri Sulejmani, inspektor i shtetëror i mjedisit jetësor, rajoni i Pollogut, zyra në Tetovë.

Por pse u panë peshq dhe gjallesa të ngordhura, nëse nuk ka pasur ndotje enorme? Nga Shoqata “Hunter Fish” të cilët kanë në koncesion lumenjtë e Kërçovës thonë se do ta hulumtojnë rastin edhe më tej.

“I morëm analizat por ne si shoqatë po punojmë në zbardhjen e plotë të rastit. Rastin do ta shqyrtojmë deri ne fund për të vërtetuar rrethanat e vërteta të asaj katastrofe ekologjike”, thanë nga Shoqata e Peshkatarëve “Hunter Fish”.

Rreth një muaj më parë, në Lumin e Errët në Kërçovë ndodhi një alarm ekologjik, pasi roja e lumenjve gjeti peshq dhe gjallesa të tjera të ngordhura mbi ujë, për shkak të një substance të bardhë që rridhte në lum.