Serbia në krizë nafte, çmimet mund të rriten

TË FUNDIT

Nafta për përpunim në Rafinerinë e Pançevës, e cila është pjesë e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), sipas llogarive të zyrtarëve, mjafton edhe për dhjetë ditë të tjera.

Për shkak të sanksioneve të SHBA-së kundër NIS-it, që kanë ardhur si rezultat i pronësisë shumicë ruse, furnizimi me naftë të papërpunuar për Serbinë është ndërprerë.

Me ndihmën e shtetit, apo përmes sasive të naftës nga rezervat shtetërore, rafineria në Pançevë do të ketë lëndë të parë vetëm deri më 25 nëntor.

Në rast të zvogëlimit të kapaciteteve ose ndalimit të punës pas këtij afati, të parët që do ta ndienin goditjen, do të ishin punëtorët e rafinerisë.

“Deri tani kemi arritur të kontribuojmë që kufizimet e shkaktuara nga sanksionet, të mos e rrezikojnë sigurinë ekzistenciale të punëtorëve, por është e rëndësishme që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje e qartë dhe e qëndrueshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bozho Dostiq, kryetar i Sindikatës së Rafinerisë së Naftës në Pançevë.

Ai shton se në NIS punojnë rreth 13.500 persona, ndërsa nga kompania varen indirekt edhe rreth 20.000 anëtarë të familjeve të tyre.

Prioritet i sindikatës, sipas Dostiqit, është që “asnjë familje të mos i ndiejë pasojat e situatës aktuale”.

“Të ruhet çdo vend pune dhe të mbrohen të drejtat, të paktën në nivelin e garantuar nga Marrëveshja Kolektive”, shton ai.

Sa e rëndësishme është rafineria në Pançevë?

Shumica e produkteve të naftës që arrijnë në stacionet e benzinës, vijnë nga rafineria në Pançevë, ndërsa një pjesë më e vogël importohet.

Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shteti ka ndërhyrë tashmë me më shumë se 80.000 tonë naftë bruto, të siguruar nga rezervat e mallrave, “në mënyrë që rafineria të mund të funksionojë”.

“Mund ta lëmë rafinerinë të mos funksionojë për 15-20 ditë, por pas kësaj do të duhet edhe një muaj që të fillojë të funksionojë. Kjo do të ndikojë në shkallën tonë të rritjes, kjo do të ndikojë në produktin e brendshëm bruto, pagat, pensionet, gjithçka… Njerëzit duhet ta dinë këtë”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) më 23 tetor.

Serbia plotëson vetëm një të pestën e sasisë së kërkuar të naftës nga prodhimi vendas, sipas të dhënave nga Agjencia serbe e Energjisë. Pjesa tjetër e naftës importohet. Nafta bruto përpunohet në produkte nafte në rafineri, të cilat më pas u shpërndahen konsumatorëve.

Çfarë thonë kompanitë e naftës?

NIS-i nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me skenarët e mundshëm pas 25 nëntorit, kur rafineria e Pançevës do të mbetet pa naftë bruto për përpunim, dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për vetë rafinerinë dhe tregun e derivateve të naftës.

Pyetjeve të njëjta nuk iu përgjigj as Ministria serbe e Minierave dhe Energjisë.

Shoqata e Kompanive të Naftës e Serbisë (UNKS) konfirmon për Radion Evropa e Lirë se importet e produkteve të naftës janë rritur ndjeshëm që nga 10 janari, kur SHBA-ja e vendosi NIS-in në listën e sanksioneve, me qëllim zëvendësimin e sasive të karburantit që mungojnë.

Sipas Tomisllav Miqoviqit, sekretar i përgjithshëm i UNKS-së, kompanitë anëtare të shoqatës janë importueset më të mëdha të produkteve të naftës në Serbi.

“Importi është rritur gradualisht. Së shpejti, pengesat logjistike do të jenë një sfidë më e madhe sesa vullneti dhe kapaciteti i kompanive anëtare për të importuar”, thotë Miqoviq.

Serbia nuk ka dalje në det, çka e vështirëson transportin dhe logjistikën.

“Meqenëse importi bëhet përmes Danubit… pastaj me hekurudhë dhe transport rrugor, në çdo fazë të këtij transporti mund të paraqiten vështirësi”, shpjegon Miqoviq./REL