Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi që Ministri i Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, nuk iu lejua vizita në Luginën e Preshvës.
Kamberi ka thënë se vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike.
“Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare!”, ka shkruar Kamberi ndër tjera në Facebook.
Tutje Kamberi e ka dënuar këtë veprim të përsëritur të Serbisë, duke thënë që bashkëpunimi i shqiptarëve të Luginës me Kosovën dhe Shqipërinë nuk duhet të jetë burim frike, dhe se ai nuk do të ndalet.
“Bashkëpunimi ynë me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësojë askënd, përkundrazi duhet ta mirëpresë çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë por do të dështojë.”
