Rikthimin e besimit në institucionin e Avokatit të Popullit, bashkëpunimin me institucionet, si dhe plotësimin e stafit dhe zgjedhjen e 8 zëvendës-avokatëve të popullit, i paralajmëroi Avokati i ri i Popullit, Faton Selami. Pasi u zgjodh të premten nga deputetët, ai para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dha deklaratë solemne për marrjen e këtij funksioni të rëndësishëm. Por, si do të përballet me problemin e vazhdueshëm që institucionet nuk i marrin parasysh kërkesat dhe vërejtjet e këtij Avokatit të Popullit? Selami paralajmëroi ndryshime në ligji, që do të mundësojnë shqiptimin e masave.
“Kjo është paraparë në ndryshimet e Ligjit për Avokatin e Popullit, që të kemi mundësi të shqiptojmë edhe kundërvajtje. Me rekomandime dhe qortim publik në bashkëpunim me mediat, por mendoj se në ndryshimet ligjore duhet të ketë edhe dispozita kundërvajtëse, nëse në mënyra të tjera nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit”, tha Faton Selami – Avokat i Popullit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ia uroi funksionin dhe theksoi se pret prej tij t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
“I uroj shumë shëndet dhe shumë sukses dhe të jetë në shërbim të popullit, t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, partiake, politike apo çfarëdo tjetër”, theksoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Zgjedhja e Faton Selamit ishte e bllokuar për plot 6 muaj, pasi deputetët e Frontit Evropian ishin kundër zgjedhjes së tij dhe për këtë arsye paralajmëruan se nuk do të votonin me shumicë të Badenterit. Selami vjen në vend të Naser Ziberit, i cili e mbajti këtë funksion deri më 12 korrik të vitit të kaluar.
