Sela rizgjedhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët, të pakënaqurit do t’i drejtohen gjykatës!

TË FUNDIT

Në Kongresin e dytë të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela erdhi bashkë me Arben Taravarin, i cili me shumë gjasa do të ishte kandidat për kryetar të partisë, në qoftë se Sela nuk do të rikandidonte.

Në fakt Selës nuk iu bë askush rival në garën për të parin e partisë. Ishte kandidati i vetëm andaj edhe u rizgjodh edhe për një mandat.

Është i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, Aleanca për Shqiptarët do të dalë fituese.

“Do të fitojë Aleanca për Shqiptarët bashkë me shqiptarët, bashkë me subjektet e tjera politike me të cilat mendon që është bërë gjithçka e tepërt dhe shqiptarët do të duhet të hapin një kapitull të ri”, tha Sela.

Edhe pse Sela mori besimin e anëtarësisë për ta drejtuar partinë edhe për 4 vitet e ardhshme, jo të gjithë pajtohen me këtë gjë. Latif Arifi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes për Reforma në PDSH, thotë se ky nuk është kongresi i dytë, por i treti i partisë, andaj Selës nuk i takonte më që të kandidojë, sepse statuti parasheh vetëm dy mandate për një kryetar.

“Sipas nenit 78 të Statutit në fuqi të partisë, Ziadin Sela ka konsumuar dy mandate. Unë kam marr pjesë në dy Kongrese, më 10 mars 2015 dhe me 21 mars 2018, pavarësisht se si janë quajtur, Kongresi 6 i PDSH-së. (ngjitje 01,10) Ky është Kongresi i tretë i Aleancës. Zgjedhja e Ziadin Selës është jo legjitime, zgjedhje që ne do ta kontestojmë pranë organe gjyqësore në emër të themeluesve të partisë”, tha Arifi.

Arifi po ashtu pohon se ai dhe të pakënaqur të tjerë nuk u lejuan të marrin pjesë në Kongresin e sotëm. Duke folur rreth kësaj, Sela tha se kjo është hera e dytë që po zgjidhet në krye të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa akujt nuk i është ndaluar pjesëmarrja në Kongres dhe se aty ka pasur edhe kritikë të partisë.

“Falënderoj të gjithë, edhe ata të cilët ndoshta e kanë kritikuar Ziadin Selën, edhe ata që nuk e kanë dashur Ziadin Selën në krye të ASh-së, por në të njëjtën kohë, përmes jush, iu lutem të mos shpifin, askush, askujt nuk ia ka marrë të drejtën për të marrë pjesë e këtij Kongresi. Por kur nuk zbret në bazë, të delegohesh delegat në Kongres, unë nuk kam aspak të drejtë, kushdo qoftë ai që vjen dhe më kërkon a mund të bëhet delegat, unë nuk e kam këtë të drejtë”, u shpreh Sela.

Në Kongres u morën disa vendime, të cilat Sela i quajti të rëndësishme. Miratoi deklaratën në lidhje me aktualitetin politik, u miratuan dokumente partiake që lidhen me ndryshimet statutore, u miratua platforma politike duke iu përshtatur rrethanave dhe u zgjodhën anëtarët e Kuvendit Qendror. Në Kongresin e ASH-së të pranishëm u panë përfaqësues të BDI-së, VMRO- DPMNE-së, Lëvizjes Besa, Alternativës, Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.