Pllakë përkujtimore për viktimat e tragjedisë së spitalit modular në Tetovë

TË FUNDIT

Sot bëhen pesë vjet nga zjarri tragjik që përfshiu spitalin modular në Tetovë, më 8 shtator 2021, përcjell TV21. Në këtë tragjedi humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Nga 14 viktimat, 12 ishin pacientë që po trajtoheshin nga Covid-19, ndërsa dy ishin të afërm të tyre që ndodheshin në spital.

Pesë vite pas ngjarjes, në vendin ku ndodhi tragjedia është vendosur edhe një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave. Memoriali është vendosur nga persona anonimë, pa u bërë e ditur se kush qëndron pas vendosjes së tij.

Ndërkohë, pas një procesi të gjatë gjyqësor, drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florian Besimi dhe Artan Etemi, u dënuan me nga tre vjet burg për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Subjekti juridik, Spitali Klinik i Tetovës, u gjobit me një milion e 300 mijë euro.

Në një zhvillim tjetër, në gusht të këtij viti, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbylli hetimin lidhur me prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend.

Sipas Prokurorisë, nuk janë gjetur baza për dyshim për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar apo për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Pesë vjet pas zjarrit, kujtimi për 14 viktimat mbetet i gjallë, ndërsa tragjedia e spitalit modular në Tetovë vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rënda të periudhës së pandemisë në vend.