Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka dërguar një letër presidentit të vendit Stevo Pendarovski, në të cilën nuk pajtohet me deklaratën e Pendarovskit se vendi do duhej të hiqte dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian nëse Bullgaria kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, me kërkesën që gjuhës maqedonase t’i referohet në dokumentet zyrtare të BE-së si “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
-Jo, zoti President, qytetarët e këtij vendi kurrë nuk do të pranojnë të heqin dorë nga BE-ja. Ka shumë arsye për këtë, përfshirë sakrificat, përpjekjet e tyre tre dekadëshe dhe mungesë e një alternative tjetër,por mbi të gjitha për shkak se integrimi në BE ka të bëjë drejtpërdrejtë me prioritetin e dytë që ju veçuat si interes shtetëror, atë të integrimit në civilizimin dhe institucionet perëndimore si interes shtetëror, që ka filluar me anëtarësimin e vendit në NATO dhe do të përmbyllet vetëm kur të bëhemi shtet anëtar i BE-së.
-Unë e kuptoj mirëfilli reagimin tuaj emocional në lidhje me kushtëzimin bullgar rreth gjuhës maqedonase, sepse çdo shtetar e njeri në rruzullin tokësor do të indinjohej njëjte si ju në qoftë se i cenohet identiteti kombëtar. Megjithatë, atë qe nuk po mund të kuptoj është se si edhe pas këtij kushtëzimi bullgar, ju personalisht dhe establishmenti politik maqedonas në përgjithësi, nuk keni nisur qoftë edhe reflektimin më të vogël rreth asaj se si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar.
-Mjafton të shikoni në oborrin tuaj, sepse Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një “gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja…Duke u nisur nga parimi “mos ia bën asnjëherë tjetrit atë që nuk dëshiron dikush të ta bëjë ty”, shpresoj se bashkë me ju dhe politikanë tjerë mendje hapur maqedonas të bëhemi bashkë në jetësimin e idealit tonë evropian dhe të ndryshojmë këtë kushtetutë retrograde, që më në fund gjuhës shqipe t’i themi gjuhë
shqipe duke braktisur kështu logjikët e një periudhe të errët të historisë, shkruan Sela.
