Sela: KSHZ na mohoi anëtarin e komisionit, Derkoski: ASH-AAA anëtarin e kanë të sigurt në zgjedhjet e ardhshme

TË FUNDIT

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve nuk ka legjitimitet, pasi nuk i është përgjigjur kërkesës së koalicionit Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa për të pasur anëtarin e tyre politik në komision. Këtë e deklaroi kryetari i ASH-së Zijadin Sela mbrëmë në emisionin Click plus.

 “Pse koalicionit Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa nuk iu dha anëtari i komisionit në vendvotim? Pse komisioni shtetëror zgjedhor as nuk na është përgjigjur kërkesës tonë. Deri të ky komision kemi kërkuar që anëtari i katërt, siç e parasheh ligji, që katër partitë në zgjedhjet e fundit në zgjedhjet e fundit parlamentare t’i takojnë koalicionit. Në momentin që kur Besa kaloi në koalicion me LSDM-në atëherë në automatizëm ky vend i takonte koalicionit Aleancës për shqiptarët dhe Alternativa”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Kryetari i komisionit shtetëror zgjedhor Oliver Derkovski iu kundërpërgjigj. Thotë se sipas ligjit dhe sipas rezultateve të fundit nga zgjedhjet, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa vendin do ta kenë të siguruar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

 “Tani situata ka ndryshuar dhe me siguri tani përbërja do të ndryshojë, do të thotë që një përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët mund të jetë anëtar i KSHZ-së dhe natyrisht që ata do të kenë të drejtën e përfaqësuesve dhe anëtarëve të komisioneve zgjedhore”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

TV21 i pyeti koalicionin ASH-AAA se a është biseduar se kush mund të jetë përfaqësuesi i ardhshëm i këtij koalicioni në KSHZ, thonë se kjo temë nuk është diskutuar fare dhe se këtë vendim do ta marrin kur do të vjen koha.