Sela kandidat i vetëm për kryetar të ASh-së, Taravari nuk ka dorëzuar kandidaturë!

TË FUNDIT

Ziadin Sela do të jetë kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët edhe për një mandat tjetër. Të paktën kështu thonë 1600 anëtarët e Aleancës të cilët kanë dhënë mbështetje dhe kanë propozuar Selën që të vazhdoje udhëheqjen me partinë.

“Deri në datën e caktuar ne si Komision që jemi caktuar nga ana e Kuvendit qendror të partisë, kemi konstatuar se tek ne kanë ardhur 1600 nënshkrime për një kandidaturë të vetme me emrin Ziadin Sela”, tha Halil Snopçe, ASh.

Gjatë gjithë kohës që Sela ishte ushtrues detyre nuk theksoi asnjëherë nëse do të kandidojë ose që të jetë kryetar partie.

“Tani a do të kandidohem apo jo unë? E kam thënë edhe tjera herë, jam në funksion të anëtarësisë së ASh- së dhe sjellja ime në të ardhmen patjetër se do të jetë në funksion të saj”, tha Sela.

Kandidati i dytë më i përfolur për kryetar të ASH-së ishte edhe Arben Taravari, por sipas Komisionit që ka verifikuar kandidaturat në ASH, Taravari nuk ka kandiduar. Ai kohë më parë u shpreh se kandidaturën mund ta mendojë vetëm nëse Sela nuk rikandidon.

“Nëse Sela do të kandidoj, as nuk do të diskutohet nëse unë do të kandidojë. Nuk vjen parasysh. Por nëse nuk rikandidon mund të mendoj. Mendoj se z.Sela duhet të vazhdoj dhe do ta ketë mbështetjen time maksimale”, u shpreh Taravari.

Për të kandiduar për kryetar partie sipas statutit të ASh-së është dashur të mblidhen minimum 400 nënshkrime në një afat prej 2 javëve para mbajtjes së Kongresit, i cili do të mbahet më 17 mars. Aktualisht ASh numëron rreth 11 mijë anëtarë, prej të cilëve rreth 3.500 janë anëtarë të rinj.