Schwarzenegger me rol emocional (video)

TË FUNDIT

Heroi i filmave aksion, Arnold Schwarzenegger ka zbuluar anën dramatike dhe të ndjeshme të tij, teksa shihet duke qarë në rolin e një fermeri që nuk mund ta shpëtojë të bijën që vdes.

Filmi “Maggie” me tematikë të zombive, që pati premierën në festivalin e filmit në Tribeca, sfidon kampionin e bodybuilding-ut dhe guvernatorin e Kalifornisë, tani 67 vjeçar, në një rol krejt ndryshe.

“Ishte një rol i pazakonshëm për mua, meqë unë kurrë nuk luaj role dramatike. Por për 25 vite kam qenë baba dhe mund të bashkëndjej me këtë situatë meqë jam baba. Kur e lexova skenarin, sytë m’u mbushën me lot vetëm duke e lexuar”, ka thënë Schwarzenegger, sipas Reuters.

Aktori u ngrit në famë përmes filmave “Terminator” dhe “Conan”, e pastaj u përfshi në zhanrin komedi “Kindergarten Cop” dhe “Twins”. Filmi “Maggie” nga regjisori Henry Hobson, bën fjalë për një qytet të goditur nga një sëmundje që kthen viktimat në zombi. E bija e fermerit Wade infektohet dhe shumë shpejt zhvillon urinë për njerëzit.