Scholz: Me Francën po i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes

TË FUNDIT

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar se kanë njohuri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.