Reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan vërshime në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjegjësisht në disa pjesë të kryeqytetit, Sarajevë. Disa banorë tashmë janë evakuuar. Për disa orë kishte ndërprerje të energjisë elektrike, kurse shumë prej rrugëve “notojnë” nën ujë.
Shumë pjesë të Sarajevës mbetën edhe pa rrymë, për shkak se shiu kaploi njërën nga nënstacionet kryesore në periferi të qytetit. Dhjetëra banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në zonën periferike, Otes dhe në qytetin Konjiq, që ndodhet rreth 50 km në jugperëndim të kryeqytetit.
“Gjatë orës së kaluar kemi evakuuar tetë persona, mes të cilëve dy gra të moshuara, kurse të tjerët ishin në moshë të mesme. Sot në mëngjes evakuuam një Shtëpi për Pleq, gjithsej 55 persona – 52 pacientë dhe tre të punësuar. Për momentin po punojmë në terren, i evakuojmë njerëzit që kanë nevojë për evakuim dhe shpërndajmë ushqim dhe ilaçe për të tjerët”, tha Danas Memagiq, zjarrfikës.
“Gjithçka është vërshuar. Sapo i telefonova kolegut tim i cili më tha se nuk mund të dalë nga shtëpia e tij, sepse uji ka arritur deri në katin e parë të shtëpisë”, u shpreh Salih Ramadani, banor.
Reshjet e shiut filluan të enjten vonë, kurse parashikimet janë se moti i tillë do të vazhdojë deri të dielën, me çka shtohet frika që të përsëriten përmbytjet rekorde të cilat në vitin 2014 kapluan një të tretën e popullsisë./TV21
