Sali: Procesi i integrimit në BE duhet të jetë i bazuar në merita

TË FUNDIT

-Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes punës së koordinuar midis qeverive, parlamenteve dhe palëve të interesuara politike, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali në takimin ndërrajonal në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Komisioni Evropian dhe partnerë ndërkombëtarë.

Sali theksoi se të gjitha shtetet presin që procesi i zgjerimit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe në rezultate reale integruese, të cilat kontribuojnë për funksionim më të mirë të institucioneve, qëndrueshmërisë financiare dhe sigurisë më të madhe. 

“Jemi shumë të përkushtuar ndaj agjendës së reformave, e cila është pjesë integrale e procesit të integrimit. Po i përmbushim hapat në kohë dhe si shtet jemi gati për detyrime të reja. Kemi propozuar rreth 25 pika që jemi gati t’i zbatojmë”, theksoi Saliu, duke shtuar se pritet që Komisioni Evropian të konfirmojë masat e propozuara ose të paraqesë kërkesa shtesë.

Ai theksoi se reformat nuk munden të zbatohen pa rol aktiv të parlamenteve dhe pa koordinim ndërmjet pozitës dhe opozitës. 

“Komunikimi ndërmjet Qeverisë, Kuvendit, pozitës dhe opozitës duhet të jetë i unifikuar. Vetëm me një qasje të tillë mund të shpresojmë në realizim më të mirë të qëllimit final, anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian”, theksoi Sali.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, ai konfirmoi se në takim marrin pjesë edhe delegacione nga Ukraina, i shprehu falënderim Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it për mbështetjen dhe theksoi se nisma ka për qëllim ta përshpejtojë procesin e integrimit të nëntë vendeve aspirante. 

“Nuk ka shkurtim ose lehtësim të procesit, por mendim për përshpejtim të tij. Çështja është a mundemi bashkërisht ta përshpejtojmë procesin i cili zgjat me vite dhe ta realizojmë për dy”, shtoi ai. 

Në lidhje me turneun e paralajmëruar të kryetares së Komisionit Evropian, Sali konfirmoi se Ursula fon der Lajen pritet që në fillim të tetorit ta vizitojë vendin në kuadër të turneut t të saj përgjatë shteteve të Ballkanit Perëndimor.