Sa ministri mund të marrë ASH nëse hyn në Qeveri? Ende po e presin ofertën përfundimtare nga Qeveria

TË FUNDIT

Asgjë e re në lidhje me bisedimet për zgjerimin e mundshëm të shumicës parlamentare. As njëra nga partitë nuk e pranojnë se është diskutuar për ndarje resorësh, ndonëse TV21 nga burime që duan të mbeten anonime mëson se tashmë Aleancës për Shqiptarët i janë ofruar disa pako me ministri e drejtori me të cilat ASH do të drejtonte nëse vendos të bëhet pjesë e Qeverisë.
Jozyrtarisht mësohet se ASH në fillim ka kërkuar katër ministri, nga Qeveria i kanë ofruar dy, ndërsa tash për tash mësohet se ka gjasa që si marrëveshje finale të mbetet që ASH-së ti jepen 3 ministri. Aleanca për Shqiptarët ende është në pritje të një oferte përfundimtare të Qeverisë, e cila më pas do të shqyrtohet në parti. Nga ASH për TV21 thonë se nuk është paraparë ndonjë takim ditëve në vijim.
“Nuk ka ndonjë ftesë për takim për ditët në vijim. Kur do të ketë diçka konkrete, do ta bëjmë publike”, thonë nga ASH.

TV21 po ashtu nga burime të tij mëson se ASH me shumë gjasa do të duhet të zgjedhë mes Ministrisë së Shëndetësisë, të Drejtësisë, të Bujqësisë, të Arsimit dhe Mjedisit. Nëse eventualisht ASh i kërkon dy resorë nga e njëjta parti, atëherë LSDM e BDI mes vete do të bëjnë këmbime të resorëve.
Analisti politik Imer Selmani, në një intervistë për TV21 tha se hyrja e ASH-së në qeveri mund të jetë thikë me dy presa për këtë parti, sepse nga një anë ajo do të kontribuonte në avancimin e integrimeve, ndërsa nga ana tjetër, duke qenë se është viti i fundit i mandatit të qeverisë, do të rrezikonte shumë me elektoratin e saj.
“Është shumë normale të vendoset në tryezë edhe futja e ASH-së në Qeveri. Por kjo i takon vetë partisë, është vendim sovran, që të vlerësojë dobitë që do të marrë shteti në këtë rast por edhe vetë riskun që merr Aleanca në fund të mandatit ose në vitin e fundit të mandatit që të bëhet pjesë e shumicës qeveritare që mund të, në aspektin e zgjedhjeve ose nëse kalkulohet me vota, të jetë një thikë me dy tehe”, tha analisti Imer Selmani.

Nga ajo që mësohet nga burime partiake është se ka bisedime mes 3 partnerëve qeverisës, Dimitar Kovaçevskit, Ali Ahmetit dhe Afrim Gashit, por në rrugë zyrtare nuk jepet asnjë informacion. Nga partia Alternativa konfirmuan se të premten ka pasur takim Gashi-Kovaçevski, ndërsa shtojnë se “në takim është biseduar edhe për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare dhe bashkërisht është konstatuar se hëpërhë nuk ka ndryshuar asgjë në pikëpamje të numrave të shumicës”.