Me këtë postim drejtuesit e QIK para më shumë se një jave, njoftuan se kanë hapur faqe të re të Facebookut për këtë institucion. Kur TV21 e pyeti drejtorin e ri Antonio Dimitrov se përse pati nevojë për faqe të re dhe përse e njëjta nuk është edhe në shqip, na tha se u ka mbaruar kontrata me hostingun e vjetër dhe se po punojnë që ta bëjnë në dy gjuhë edhe web faqen e cila është në përpilim e sipër. Mirëpo sipas ekspertit të IT-së Llokman Musliu nuk është e nevojshme që nëse ndërrohen drejtorët në një institucion që të ndërrohet edhe faqja , sepse e njëjta mund të transferohet.
“Në kështu raste kur mbaron kontrata, zakonisht ka 30 ditë afat për ta vazhduar ose transferuar, ata kanë pasur mundësi ta transferojnë faqen, ne atë gjë e bëjmë vazhdimisht me klientët, merret faqja ekzistuese dhe transferohet në hosting tjetër ose ripërpunohet përmbajtja dhe përkthimet dhe gjërat tjera asnjëherë nuk humben”, tha Llokman Musliu, ekspert i IT.
Mirëpo sa kohë duhet që një faqe të kthehet në dy gjuhë? Musliu thotë se nëse dikush ka qëllim të hap faqe në më shumë se dy gjuhë e njëjta bëhet që në fillim.
“Prej në fillim nëse faqja është e menduar të jetë me më shumë gjuhë duhet prej në fillim të rregullohet, pastaj është shumë lehtë të bëhet në dy, tre ose më shumë gjuhë. Për shembull nëse nuk është e menduar aspak që të ketë edhe gjuhë shqipe mund të jetë edhe pak një javë që ta rregullojnë prej në fillim që të ketë mundësi për më shumë gjuhë, e nëse është e menduar prej në fillim me më shumë gjuhë, atëherë është shumë e thjesht vetëm duhet të shtohen fjalët shqip dhe të lihet edhe gjuha shqipe”, theksoi Llokman Musliu, ekspert i IT.
Përndryshe, ueb-faqja e QIK nuk është përditësuar që nga data 10 mars, ndonëse aktivitete kulturore ka pasur po ato janë publikuar vetëm në faqen e re të Facebookut.
Partitë shqiptare kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për mospërdorimin e shqipes nga ana e drejtorin e ri të QIK, Antonio Dimitrov i cili është nga radhët e partisë “E Majta”.
