SA INVESTIME KAPITALE KA REALIZUAR QEVERIA? BEKTESHI: GAZSJELLËSI ËSHTË NJË NGA PROJEKTET MË TË MIRA PËR KËTË VIT

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi nuk precizoi se sa kilometra nga gazsjellësi është ndërtuar, edhe pse në reklamat e Qeverisë thuhet se janë realizuar 216 kilometra.

Ai tha se Gazsjellësi Shkup-Tetovë-Gostivar është një nga projektet më të mira për këtë vit me rreth 40% realizim.

E pyetëm se a e ka filluar projektin e gazsjellësit kjo Qeveri, ai tha se kjo nuk është e rëndësishme, por se si do të përfundojë tërësisht.

Në lidhje me investimet kapitale deklaroi se ai në mënyrë të drejtpërdrejtë është i kyçur në ekipin e Qeverisë së bashku me zv.kryeministrin dhe ministrin për transport dhe lidhje dhe se i ndjekin institucionet tjera çfarë kanë për realizim.

“Duhet pasur parasysh se jo të gjitha investime kapitale që realizohen financohen nga buxheti i Qeverisë, do të thotë, ndërmarrjet publike, shoqatat aksionare janë jashtë buxhetit. Sa i përket gazsjellësit dhe hekurudhës përmes Bullgarisë, kjo është në Ministrinë për transport dhe lidhje. Me ligjin e ri nga ky vit “Resurset energjetike të Maqedonisë” do të jetë nën Ministrinë e ekonomisë dhe në atë rast ne do të jemi përgjegjës për realizim brenda afateve të parashikuara”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Para pak kohe, kryeministri Zoran Zaev në emisionin Klik Plus, në TV21, tha se investimet kapitale ndahen në mënyrë të barabartë në të gjitha rajonet si dhe numëroi se po ndërtohen rrugë, rrjete ujësjellësi dhe kanalizimi, pajisen spitale etj.

Më numëroni disa nga investimet?

“Autostrada, rrugë gjithkund, rrugë rajonale dhe lokale . . .do të fillojë ndërtimi, nuk kishte as projekt, nuk mundet të ndërtojmë pa projekt, ujësjellës dhe kanalizim gjithkund, pajisja e spitaleve në mënyrë të barabartë gjithkund, çerdhe gjithsej 17 që janë tani në program, shkollat dhe sallat e sportit janë në mënyrë të barabartë gjithkund, isha në Likovë, e lëshuam ujësjellësin”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga investimet kapitale të papërfunduara ende kanë mbetur autostradat: Kërçovë-Ohër dhe Shkup-Bllacë.

Përgatiti: Svetllana Unkovska