Shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Neni 5 nuk është në tryezë, pasi mbrojtja ajrore e aleancës rrëzoi dje një raketë balistike mbi hapësirën ajrore të Turqisë.
Rutte tha se incidenti ishte “serioz”, por theksoi se “askush nuk po flet për Nenin 5”.
Sipas Nenit 5 të NATO-s, nëse një shtet anëtar përballet me një sulm të armatosur, të gjithë anëtarët e tjerë të aleancës e konsiderojnë atë si sulm ndaj tyre dhe ndërmarrin veprimet që i shohin të nevojshme për ta ndihmuar aleatin e sulmuar.
Incidenti i djeshëm shënoi herën e parë që Turqia, anëtare e aleancës ushtarake, u përfshi drejtpërdrejt në konfliktin e Lindjes së Mesme, duke ngritur shqetësime për një zgjerim të mundshëm të konfliktit që mund të përfshijë edhe aleatët e saj.
Rutte shtoi se NATO e mbështet Shtetet e Bashkuara në veprimet që synojnë aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, pasi sipas tij vendi ishte “afër të bëhej një kërcënim edhe për Evropën”.
Ndërkohë, Teherani ka mohuar se ka lëshuar raketën drejt Turqisë.
