Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se raketat e saj shkatërruan një depo municioni në rajonin e Lvivit në Ukrainë, ku sipas saj ndodheshin armë dhe municione të dhuruara nga vendet e NATO-s.
Ndërkohë, përparimet ushtarake të Rusisë në rajonin e Donbasit janë shoqëruar me kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarë të lartë ukrainas për më shumë armë perëndimore.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe tashmë janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me një numër të vogël raketash për t’i bërë ballë fuqisë dërrmuese të arsenalit rus.
Por Ukraina thotë se ka nevojë për më shumë armë dhe artilieri në betejën e saj ndaj ushtrisë së dytë më të madhe në botë . Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin do të kryesojë një takim në Bruksel prej pothuajse pesëdhjetë vendesh, të angazhuar për të mbështetur Ukrainën për të marrë parasysh se çfarë mund të bëhet më shumë.
Edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se vendet perëndimore duhet t’i dërgojnë Ukrainës më shumë armatime të rënda, teksa forcat ruse vazhdojnë të përparojnë në lindje të vendit.
Gjatë një deklarate për mediat, pas takimit me shtatë liderët evropianë të vendeve aleate të NATO-s, Stoltenberg theksoi se Ukraina duhet të ketë më shumë armatime të rënda. Në prag të samitit të NATO-s që do mbahet në fund të qershorit në Bruksel, Stoltenberg u shpreh se pavarësisht mbështetjes së koordinuar që aleanca i ka dhënë Ukrainës, kërkesat e Kievit për më shumë armatime janë rritur javët e fundit, pasi forcat e saj janë në disavantazh në luftën për të përballuar përparimet ruse në Ukrainën lindore.
Presidenti Volodymyr Zelensky në një mesazh tha se ushtria ukrainase po pëson “humbje të dhimbshme” në rajonin lindor të Donbasit dhe zona të tjera të vijës së frontit në Ukrainë
Ai theksoi se Ukraina kishte nevojë për armë moderne anti-raketore për të mbrojtur territorin e saj.
Zelensky tha gjithashtu se ai priste inspektime të logjistikës në ushtri pas raportimeve se disa ushtarakë ukrainas nuk kishin pajisje të mjaftueshme ushtarake.
Ai tha se është jetike të mbrohet rajoni i Donbasit, pasi kjo do të jetë “thelbësore për përcaktimin se kush do të dominojë betejën në javët e ardhshme”.
